Aktivisti politik nga Medvegja, Muharrem Salihu, ka komentuar idenë për hapjen e një konsullate të Serbisë në Shkodër të Shqipërisë, duke thënë se kjo është një ide që qarkullon prej rreth një dekade.
Në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova, Salihu tha se Serbia, sipas tij, po përpiqet të shfrytëzojë një moment më të qetë në raportet me Shqipërinë për ta shtyrë këtë çështje, duke rikthyer kujtesën e dhimbshme të së kaluarës.
Kjo është një ide e vjetër që qarkullon tash e së paku për 10 vite, me aq sa di unë, dhe duke e nxjerrë në një moment duke e konsideruar më të relaksuar ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë, mendoj që Serbia gjendet para një akti të cilin nuk mund ta refuzojë. Për ta refuzuar këtë, në një farë forme ka mobilizuar dhimbjen tonë duke hedhur kripë në plagët e vjetra dhe kështu ka nxitur opinionin që ka kundërshtuar si ide. Mendoj që ne duhet të shohim përtej asaj, sepse duhet të jemi të vetëdijshëm që askush sot nuk duron asgjë, përkundrazi tentojnë të na marrin edhe ato që i kemi dhe t’i kalojmë këto gjëra. Duke e ditur mirë faktin se ata nuk kanë asnjë arsye që të kenë një konsullatë të tillë, përveçse të nxisin kujtesën tonë të dhimbshme të së kaluarës”, ka thënë Salihu.
Ai ka bërë thirrje që kjo çështje të shihet përtej emocioneve, duke theksuar se, sipas tij, Serbia nuk ka arsye tjetër për një konsullatë të tillë përveç ndikimit në kujtesën historike të shqiptarëve.
Salihu ka shtuar se nuk duhet të ketë frikë nga veprime të tilla, duke përmendur se Serbia tashmë ka ambasadë në Tiranë dhe se ekzistenca e saj nuk e ka penguar të veprojë sipas interesave të veta.


