Ka marrë epilog arratia e personit të dyshuar për sulmin brutal ndaj një gruaje në Gjakovë, e cila u godit me grusht dhe me një drapër metalik në kokë pas një konflikti mes tyre.
Sinjali mëson se i arrestuari është Kastriot Bajgora rreth 34-vjeçar.
Burimet bëjnë të ditur se ngjarja kishte ndodhur në orët e para të mëngjesit të 3 gushtit, në rrugën “Tirana” në Gjakovë, ku i dyshuari kishte shkuar në banesën e partneres së tij, B.R. rreth 46-vjeçare.
Sipas hetimeve, pas një mosmarrëveshjeje, ai fillimisht e kishte goditur me grusht, ndërsa më pas dyshohet se e kishte qëlluar me një drapër metalik në kokë, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Viktima mori trajtim mjekësor dhe më pas u kthye në banesën e saj, ndërsa refuzoi strehimin dhe urdhrin mbrojtës.
Pas publikimit të rastit, i dyshuari ishte larguar dhe ndodhej në arrati.
Megjithatë, pas veprimeve intensive operativo-hetimore, Policia arriti ta identifikojë dhe arrestojë.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se gjatë hetimeve është zbuluar se i dyshuari nuk i kishte treguar identitetin e tij të vërtetë viktimës. Ai ishte prezantuar me emrin “Genti”, ndërsa emri i tij i vërtetë është Kastriot Bajgora. Po ashtu, sipas burimeve, ai i kishte deklaruar viktimës se ishte me përkatësi etnike egjiptiane, ndërsa nga verifikimet ka rezultuar se është shqiptar.
Gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, Kastriot Bajgora e ka mohuar kryerjen e veprës penale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin e dhunës në familje vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


