Një burrë në Britani është dënuar me burg pasi mbajti trupin e nënës së tij adoptuese në një frigorifer për gati tre vjet, ndërsa vazhdoi të merrte përfitimet sociale të saj.
Christopher Phillips, 60-vjeçar, ishte birësuar nga Silvia Phillips, 89-vjeçare, me të cilën kishte pasur një lidhje shumë të afërt. Pas vdekjes së saj më 8 mars 2023, ai e vendosi trupin e nënës së tij adoptuese në një frigorifer të madh në dhomën e ndenjes së shtëpisë së tyre në Porthcawl, Uells.
Ai kishte pranuar fajësinë për pengimin e varrimit të ligjshëm dhe dinjitoz të nënës së tij, si dhe për dy raste mashtrimi, pasi nuk kishte njoftuar Departamentin për Punë dhe Pensione dhe autoritetet lokale për vdekjen e saj.
Gjykata në Merthyr Tydfil e dënoi atë me 2 vjet e 4 muaj burgim.
Gjatë seancës u bë e ditur se Phillips kishte vazhduar të merrte receta mjekësore në emër të nënës së tij dhe kishte mashtruar profesionistët shëndetësorë duke pretenduar se ajo nuk dëshironte të merrte pjesë në kontrolle mjekësore.
Sipas gjykatës, pensioni dhe përfitimet e Silvias vazhduan të derdheshin në llogarinë e saj bankare, të cilën djali i saj kishte qasje ta përdorte. Në total, ai kishte përfituar rreth 78 mijë funte (rreth 90 mijë euro).
Phillips kishte lënë punën për t’u kujdesur për nënën e tij në muajt para vdekjes së saj, ndërsa shkaku i vdekjes së 89-vjeçares nuk është përcaktuar.
Pas vdekjes së saj, ai bleu një frigorifer të madh dhe e mbajti trupin aty për gati tre vjet.
Trupi i Silvias u zbulua nga policia pasi mjekët ngritën shqetësime për gjendjen e saj. Në momentin e gjetjes, ai ishte mbuluar me një batanije me dizajn leopardi, ndërsa pranë tij ishin vendosur trëndafila dhe një kartolinë ditëlindjeje.
Në kartolinë shkruhej: “Për mamin, nga Christopher dhe Tina”, ku Tina ishte emri i qenit të familjes.
Gjyqtari tha se, edhe pse gruaja kishte pësuar “poshtërimin” e qëndrimit në frigorifer për një periudhë të gjatë, nuk kishte pasur dëmtime të tjera pas vdekjes.
Gjykata theksoi se Phillips dhe Silvia kishin pasur një lidhje shumë të afërt, pavarësisht se ajo e kishte birësuar atë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


