Tuesday, August 4, 2026
spot_img
HomeLajmeMalaj: Diploma nuk mjafton, të rinjtë duhet të kenë aftësi për tregun...

Malaj: Diploma nuk mjafton, të rinjtë duhet të kenë aftësi për tregun e punës (VIDEO)

Pedagogia nga Shqipëria, Nora Malaj, ka thënë se të rinjve duhet t’u krijohen mundësi për zhvillim të vazhdueshëm gjatë gjithë jetës, duke u përshtatur me kërkesat e tregut të punës.

“Duhet t’u japim të rinjve mundësinë që të zhvillohen gjatë gjithë jetës, sepse kjo është një strategji zhvillimi që e kanë ndjekur e gjithë Europa dhe bota. Bëhet fjalë për një qasje ku përfshihen edhe elemente të kreditimit dhe të mësimit gjatë gjithë jetës”, ka deklaruar Malaj.

Ajo ka kujtuar se në vitin 2017, gjatë kohës sa ishte deputete, është miratuar një nga kornizat më të rëndësishme të kualifikimeve, e cila përcakton nivelet e kualifikimit dhe i lidh ato me nevojat e tregut të punës.

Sipas saj, tregu i punës dhe tregu i dijes duhet të trajtohen si dy komponentë të rëndësishëm, duke kërkuar një qasje më të hapur ndaj arsimit dhe zhvillimit profesional.

“Sot nuk mund të kemi më atë qasjen e vjetër se e përfundojmë shkollën dhe menjëherë kalojmë në punë. Sot kemi një ekonomi që konkurron dhe kjo garë bazohet në dijen dhe aftësitë që kërkon tregu i punës”, është shprehur ajo.

Malaj ka theksuar se të diplomuarit nuk duhet të kenë vetëm një diplomë universitare, por duhet të jenë të përgatitur për profesionin e tyre dhe për sfidat e tregut të punës.

“Ndryshe, krijohet ajo që quhet analfabetizëm funksional, ku një person ka përfunduar një shkollim, por nuk është i përgatitur për ta zbatuar atë në praktikë”, ka thënë Nora Malaj.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT