Nënshkrimi i marrëveshjes së Qeverisë së Kosovës me prodhuesin turk të armatimit, MKE, po shihet me dyshim nga opozita parlamentare vendore.
Kohën kur ajo u arrit, opozitarët e lidhen me zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit.
“Kjo është çështje elektorale. Jemi para zgjedhjeve. Kjo është që Kosova ka kapacitete njëherë ose në të ardhmen e afërt me prodhu dronë e kështu. Kjo është rrenë e kulluar, sikur biftekët e ministrit të Mbrojtjes. Nuk kemi njëherë aso kapacitete”, thotë për MAT, Bekë Berisha, deputet i AAK-së dhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Siguri.
Qasje të ngjashme ka edhe Anton Quni, deputet i LDK-së e ish-ministër i Mbrojtjes,
“Nëse një qeveri i merr të gjitha këto fakte në konsideratë, sot ato uzina do të duhej të inauguroheshin, e jo në fund të mandatit. Kur e bën në fund të mandatit, është propagandë në kuadër të fushatës, një propagandë populiste”.
Si Berisha e Quni mendon edhe ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati.
“Në kohën kur kryeministri i RKS e ka thënë, që ne faktikisht jemi në një fushatë zgjedhore apo që njerëzit e dinë që zgjedhjet do të mbahen më 9 shkurt të vitit të ardhshëm, unë jam shumë skeptik që kjo do të ndodhë në të ardhmen”.
Por pretendimet e tyre i hedh poshtë kreu aktual i Ministrisë së Mbrojtjes.
“Aspak nuk ka pasë të bëjë me fushatën. Ne dimë që është diskutuar disa herë çështja e zgjedhjeve të parakohshme dhe nuk e kemi planifikuar këtë periudhë për t’u ndërlidhur me fushatën”, ka thënë ministri Ejup Maqedonci.
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.
*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.
<!–
–>


