Drejtuesi i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Malishevë, Mevludin Mazreku, në “Edicionin Special” në Klan Kosova, tha se në mbledhjen Kryesisë së Degës të mbajtur të premten, kryesisht është diskutuar për përgatitjet për zgjedhje e parakohshme në Kosovë, që do mbahen më 7 qershor.
Ai tha se në takim u bisedua edhe për idenë që Fatmir Limaj, kreu i Nismës, të kthehet në PDK dhe të garojë në një listë me këtë parti.
“Po ne e kemi pasë sot një mbledhje të Kryesisë, punë të zakonshme të cilat na presin, përgatitjet për zgjedhjet e 7 qershorit dhe tema e NISMA-s nuk është diskutuar edhe aq. Por ne i kemi këto probleme organizative për të cilat jemi në përgatitje edhe të propozimeve për kandidatë për deputetë, kështu që këto tema më tepër janë diskutuar”.
“Ndërsa sa i përket çështjes për të cilën është duke qarkulluar nëpër portale të ndryshme, nëpër media, këto janë qëndrime të cilat ne vazhdimit i përcjellim në bashkëpunim me nivelin qendror, kështu që më tepër është vendim dhe qëndrim i Qendrës sesa i Degës”, ka thënë Mazreku, raporton Klankosova.tv.
Ai po ashtu bëri të ditur se NISMA në krye me Fatmir Limajn, i kanë bërë dëm Degës së PDK-s në Malishevë, mirëpo shtoi se vendimi për një bashkim të mundshëm i mbetet Qendrës së partisë, me në krye kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
“Dega e PDK-së në Malishevë është goditur vazhdimisht, prej 2013 e deri më sot. Kjo është edhe arsyeja që, bile sidomos në Malishevë, ne të kemi qëndrime edhe të kundërta me këtë, por vazhdimisht e kemi përmendur se është vendim i nivelit qendror. Jemi në koordinim të plotë me kryetarin Bedri Hamza, por që nuk kemi dakordim ndryshe, pra jemi në koordinim. Është specifike situata në Malishevë, por dëmi që i është bërë PDK-së nga zoti Limaj, është i lartë”, deklaroi Mazreku.
Ndiqeni deklarimin e tij:


