Një trup gjykues në Florida të Shteteve të Bashkuara të premten dënoi katër burra për konspiracion në vrasjen e presidentit të Haitit, Jovenel Moise, në vitin 2021. Vrasja e tij kishte shkaktuar trazira të jashtëzakonshme në vendin e Karaibeve.
Pjesa jugore e Floridës kishte shërbyer si vend qendror për planifikimin dhe financimin e komplotit për rrëzimin e Moises nga pushteti dhe zëvendësimin e tij me një figurë që do ta caktonin komplotistët, sipas prokurorëve amerikanë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.
Arcangel Pretel Ortiz, Antonio Intriago, Walter Veintemilla dhe James Solages u shpallën fajtorë për komplot për vrasjen ose rrëmbimin e udhëheqësit të zgjedhur të Haitit dhe për ofrim të mbështetjes materiale për komplotin. Ata gjithashtu u shpallën fajtorë për shkeljen e Aktit të Neutralitetit të ShBA-së dhe mund të dënohen me burgim të përjetshëm.
Moise u vra më 7 korrik të vitit 2021, kur rreth 20 mercenarë të huaj, kryesisht nga Kolumbia, e sulmuan shtëpinë e tij afër qytetit Port-au-Prince. Bashkëshortja e Moises, Martine, ishte plagosur gjatë sulmit dhe më pas ishte dërguar në ShBA për trajtim.
Gjykimi i tashmë të dënuarve kishte filluar para gati dy muajve në Miami. Në Haiti, ndërkohë, udhëheqësit e bandave janë bërë gjithnjë më të dhunshëm e më të fuqizuar.
Avokatët mbrojtës argumentuan gjatë gjykimit se hetimi për vrasjen e presidentit ishte rrëmujë dhe katër të akuzuarit ishin manipuluar për të marrë pjesë të fajit për një puç të brendshëm.
Të paktën pesë të tjerë janë deklaruar fajtor në komplot dhe janë duke e vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm.
Në Haiti, 20 persona, përfshirë 17 ushtarë kolumbianë, ballafaqohen me akuza për këtë rast.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


