Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga ministri Arben Vitia, ka finalizuar së fundmi një kontratë të rëndësishme për furnizimin me barna për trajtimin e sëmundjeve të rralla, në kuadër të listës së barnave senciale (LBE).
Sipas njoftimit zyrtar nga E-prokurimi, bëhet fjalë për një marrëveshje kornizë me kohëzgjatje prej 24-muajsh, ndërsa vlera e përgjithshme e parashikuar e kontratës arrin më shumë se 3.5 milionë euro, transmeton IndeksOnline.
Kontrata është ndarë në disa lote, ku për disa prej tyre tashmë janë publikuar fituesit dhe vlerat përkatëse.
Për Lotin 1, që përfshin furnizimin me Cladribine tableta 10 mg, tenderi është fituar nga grupi i operatorëve ekonomikë MADEKOS SH.P.K. dhe VARUS KS SH.P.K., me vlerë totale prej 946,215.00 eurosh.
Lotin 2, për Ofatumumab tretësirë për injeksion në shiringë të parambushur 20 mg/0.4 mL, e ka fituar kompania DELTAPHARMA-KS SH.P.K., me vlerë 753,440.00 euro.


Ndërkaq, për lotin 4, që ka të bëjë me Vedolizumab ampull 300 mg, kontrata i është dhënë kompanisë Santefarm Sh.p.k., me vlerë 1,868,724.00 euro.

Ministria ka bërë të ditur se dhënia e kontratës është publikuar për lotet 1, 2 dhe 4 pas përfundimit të afatit ankimor. Ndërkohë, për lotin 3 procesi mbetet në pritje për shkak të një ankese të paraqitur dhe publikimi i rezultatit do të bëhet pas përmbylljes së këtij afati.
Këto barna përdoren për trajtimin e disa sëmundjeve serioze dhe të rralla, kryesisht të lidhura me sistemin imunitar dhe sëmundje kronike inflamatore.
Cladribine dhe Ofatumumab janë terapi që ndikojnë drejtpërdrejt në sistemin imunitar dhe përdoren kryesisht për trajtimin e Skleroza Multiple, një sëmundje kronike që prek sistemin nervor dhe mund të shkaktojë paaftësi progresive. Këto barna ndihmojnë në uljen e aktivitetit të sëmundjes dhe në ngadalësimin e përparimit të saj.
Ndërkaq, Vedolizumab përdoret për trajtimin e sëmundjeve inflamatore të zorrëve si sëmundja Crohn dhe Koliti Ulcerativ. Ky ilaç vepron duke reduktuar inflamacionin në traktin tretës dhe ndihmon në kontrollin e simptomave te pacientët.
Këto terapi konsiderohen të avancuara dhe zakonisht përdoren në raste më të rënda ose kur trajtimet e tjera nuk kanë dhënë rezultat, duke kërkuar gjithmonë mbikëqyrje të specializuar mjekësore.


