Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ka bastisur këtë të premte lokacionin e njërit prej të dyshuarve për krime lufte kundër popullatës civile gjatë vitit 1999. Gjatë bastisjes janë sekuestruar prova materiale që, sipas autoriteteve, dëshmojnë se i dyshuari kishte qenë i mobilizuar dhe pjesë aktive e ish-Armatës Jugosllave gjatë periudhës së luftës.
Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht ditë më parë për arrestimin e dy të dyshuarve, të identifikuar si Momir Jakšić (80 vjeç) dhe Miljko Biševac (65 vjeç).
Sipas komunikatës së përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale, hetimet intensive kanë vazhduar pas arrestimit të dy personave të dyshuar, M.J. dhe M.B., më 28 korrik 2026, për veprën penale “Krime lufte kundër popullësisë civile”, të sanksionuar sipas nenit 142 të Kodit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë (RSFJ), lidhur me ngjarjet e ndodhura në Mitrovicë.
Me urdhër të Gjykatës Themelore, sot është kryer bastisje në lokacionin e të dyshuarit Momir Jakšić në Zubin Potok.
“Gjatë bastisjes në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi nga të cilat dëshmohet se i dyshuari M.J ka qenë i mobilizuar dhe pjesë aktive gjatë periudhës së luftës në ish armatën Jugosllave”, thuhet në komunikatë.
Autoritetet bëjnë të ditur se rasti po vazhdon të trajtohet nga ekipet relevante policore.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


