FIFA ka reaguar zyrtarisht pas kritikave të forta nga UEFA dhe CONCACAF lidhur me projektin e ri FIFA Forward Enterprise (FFE), duke mohuar kategorikisht pretendimet se kjo nismë synon “të nxjerrë në shitje futbollin”.
Në një deklaratë të publikuar në kanalet zyrtare me titull “Sqarime mbi propozimin në lidhje me FIFA Forward Enterprise (FFE)”, qeveria botërore e futbollit ka bërë të ditur se respekton shqetësimet e ngritura dhe se procesi do të vazhdojë përmes konsultimeve të hapura dhe demokratike.
FIFA ka akuzuar gjithashtu disa media për raportime të pasakta, duke deklaruar se ato kanë dëmtuar procesin e konsultimit të planifikuar.
“Askush nuk po e nxjerr futbollin në shitje dhe FIFA nuk do ta merrte kurrë në konsideratë një gjë të tillë”, thuhet në deklaratën zyrtare.
Sipas FIFA-s, projekti FFE synon t’u japë të gjitha 211 federatave anëtare një rol më të madh në menaxhimin e të drejtave tregtare, sponsorizimeve dhe transmetimeve të turneve botërorë, pa cenuar qeverisjen apo pavarësinë e organizatës.
Organizata i është përgjigjur edhe kritikave të UEFA-s, duke theksuar se asnjë konfederatë nuk mund të pretendojë se flet në emër të të gjitha federatave kombëtare.
“Çdo anëtar duhet të ketë mundësinë të shqyrtojë propozimin dhe të japë mendimin e tij. Këto janë parimet demokratike të FIFA-s”, thuhet më tej në deklaratë.
Si do të funksionojë projekti FFE?
Sipas FIFA-s, aktivitetet tregtare dhe operative të organizimit të eventeve do të transferohen në një kompani që do të kontrollohet plotësisht nga vetë FIFA.
Të ardhurat komerciale pritet të shpërndahen mes 211 federatave kombëtare, me synimin për të rritur investimet në zhvillimin e futbollit në secilin vend.
Çdo federatë do të përfitojë 20 milionë dollarë nga programi FIFA Forward gjatë periudhës 2027-2030, pavarësisht madhësisë apo kontributit të saj.
Megjithatë, FIFA ka sqaruar se projekti nuk do të zbatohet pa miratimin e shumicës së federatave anëtare.
“Nëse nuk ka mbështetjen e shumicës së shoqatave kombëtare, aktivitetet tregtare të FIFA-s do të mbeten të pandryshuara dhe FIFA Forward Enterprise nuk do të krijohet”, përfundon deklarata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


