Italia ka vendosur të mbyllë përkohësisht kufijtë detarë dhe ajrorë me Spanjën, duke pezulluar lëvizjen e lirë të parashikuar nga marrëveshja Schengen mes dy vendeve.
Vendimi erdhi pas mbërritjes së mijëra migrantëve në enklavën spanjolle të Ceutës, në Afrikën e Veriut, një situatë që Roma e ka cilësuar si kërcënim për sigurinë dhe kontrollin e kufijve evropianë.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni dhe zëvendëskryeministrat Antonio Tajani e Matteo Salvini njoftuan masën të enjten mbrëma, ndërsa Ministria e Brendshme e miratoi zyrtarisht të premten.
“Pezullimi i përkohshëm i Schengen-it me Spanjën është i nevojshëm për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve tanë dhe kufijtë evropianë”, deklaroi Tajani.
Edhe Franca ka vendosur të forcojë kontrollet në kufirin tokësor me Spanjën, ndërsa presidenti Emmanuel Macron ka ofruar mbështetje për autoritetet spanjolle për menaxhimin e krizës.
Vendimi i Italisë ka shkaktuar reagime të forta nga Spanja. Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez akuzoi Romën se po largohet nga parimet e solidaritetit evropian, duke thënë se “respektimi i traktateve evropiane nuk është çështje zgjedhjeje”.
Sánchez theksoi gjithashtu se sipas të dhënave të Frontex-it, Italia kishte regjistruar më shumë hyrje të parregullta sesa Spanja gjatë viteve të fundit.
Ndërkohë, disa vende të tjera të BE-së, përfshirë Finlandën, Holandën, Danimarkën, Çekinë dhe Suedinë, janë afruar me qëndrimin italian dhe kanë kritikuar menaxhimin e kufijve nga Spanja.
Kriza e migrantëve në Ceuta ka hapur një debat të ri politik në Evropë, ndërsa vendimi i Romës është përshëndetur edhe nga disa parti të djathta ekstreme në Francë, Gjermani dhe Britani të Madhe.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


