Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, ka bërë të ditur se është ftuar nga Prokuroria Speciale, ku ka dhënë dëshminë e tij lidhur me rastin e profilit “Lule Gjeli” në rrjetin social Facebook.
Abazi ka deklaruar se ka dorëzuar dëshminë e tij dhe se tashmë çështja është në duart e Prokurorisë Speciale për trajtim të mëtejmë.
“Jam ftuar nga Prokuroria Speciale, kam depozituar dëshminë time dhe kjo është tani në duart e Prokurorisë për aspekte të tjera të analizës dhe çështjeve”, ka thënë Abazi.
Ai ka folur edhe për një fotografi të publikuar, për të cilën ka thënë se nuk mund të konfirmohet për shkak se nuk është e qartë.
“E kam thënë, në fotografinë që është publikuar nuk mund të konfirmojmë sepse është fotografi që nuk shihet qartë”, ka deklaruar Abazi.
Sipas tij, nisja e trajtimit të kësaj çështjeje nga drejtësia është një hap i rëndësishëm për zbardhjen e, siç është shprehur ai, profileve të rreme.
Profili “Lule Gjeli” është bërë i njohur për publikime dhe reagime të shumta ndaj figurave publike, gazetarëve, analistëve dhe politikanëve. /Klankosova.tv


