Tuesday, July 28, 2026
spot_img
HomeLajmeMurtaja Afrikane e Derrave po përhapet – a mund ta prekë edhe...

Murtaja Afrikane e Derrave po përhapet – a mund ta prekë edhe Kosovën? (VIDEO)

Përhapja e Murtajës Afrikane të Derrave në vendet e rajonit ka shtuar shqetësimet edhe në Kosovë, ndonëse deri më tani nuk është konfirmuar asnjë rast i kësaj sëmundjeje në vend. Ekspertët dhe institucionet veterinare paralajmërojnë se rreziku mbetet i lartë, ndërsa mbrojtja e fermave varet kryesisht nga zbatimi i masave të biosigurisë.

Profesori i Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë në Universitetin e Prishtinës, Kurtesh Sherifi, thotë se Murtaja Afrikane e Derrave është një sëmundje virale që prek derrat e egër dhe ata shtëpiakë, por nuk transmetohet te njerëzit. Sipas tij, dëmet më të mëdha shkaktohen në aspektin ekonomik, pasi në rast të paraqitjes së virusit, fermat mund të përballen me humbje të konsiderueshme.

Sherifi thekson se virusi mund të përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë mes kafshëve, por edhe në mënyrë mekanike përmes njerëzve, automjeteve dhe pajisjeve që lëvizin nga një fermë në tjetrën. Ai vlerëson se mbrojtja më efektive mbetet zbatimi rigoroz i masave të biosigurisë, përfshirë kufizimin e hyrjes në ferma, shmangien e kontaktit me derrat e egër dhe diagnostikimin e shpejtë të rasteve të dyshuara.

Sipas ekspertit, për këtë sëmundje nuk ekziston vaksinë apo trajtim efektiv. Në rast të konfirmimit të virusit, legjislacioni veterinar parasheh asgjësimin e të gjitha kafshëve në fermën e prekur, me qëllim parandalimin e përhapjes së mëtejshme të sëmundjes.

Ndërkohë, fermeri Pren Zefaj thotë se deri më tani nuk ka pasur probleme me këtë sëmundje në fermën e tij, por pranon se nuk kishte marrë informacione të mjaftueshme për ekzistencën e saj. Ai kërkon që institucionet dhe shërbimet veterinare të komunikojnë më shpesh me fermerët, në mënyrë që ata të jenë të përgatitur për çdo rrezik të mundshëm.

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se gjatë vitit 2025 në vend janë importuar 2,730 derra të gjallë nga Kroacia dhe Hungaria, me vlerë mbi 511 mijë euro. Ndërkaq, gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026 janë importuar edhe 1,062 derra të tjerë, të gjithë nga Hungaria. Ekspertët theksojnë se importi i kafshëve nuk paraqet domosdoshmërisht rrezik, nëse respektohen kontrollet veterinare dhe procedurat e sigurisë.

Për shkak të situatës epidemiologjike në rajon, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga fermerët. AUV kërkon zbatimin e masave të biosigurisë, dezinfektimin e rregullt të fermave, kufizimin e hyrjes së personave të paautorizuar dhe raportimin e menjëhershëm të çdo rasti të dyshimtë.

Edhe pse Murtaja Afrikane e Derrave nuk paraqet rrezik për shëndetin e njerëzve, ekspertët paralajmërojnë se pasojat ekonomike mund të jenë të mëdha. Për këtë arsye, ata vlerësojnë se bashkëpunimi mes fermerëve, veterinerëve dhe institucioneve mbetet thelbësor për të parandaluar hyrjen dhe përhapjen e virusit në Kosovë.

Ndiqni më poshtë kronikat r përgatitura nga Kiks Kosova:

 

Ndiqeni emisionin e plotë: 

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT