Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka shprehur “solidaritet të plotë” me Gjermaninë, pasi Berlini zyrtarisht e ka bërë përgjegjëse Rusinë për një incident me dron në aeroportin e Leipzigut.
Qeveria gjermane njoftoi se, bazuar në hetimet dhe informacionet e shërbimeve të sigurisë, Rusia qëndron pas asaj që Berlini e cilësoi si një sulm hibrid më 4 gusht në aeroportin Leipzig/Halle.
Von der Leyen deklaroi se do ta diskutojë këtë çështje të mërkurën me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ndërsa ministrat e Jashtëm pritet të shqyrtojnë përgatitjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë.
“Do ta mbajmë BE-në të bashkuar përballë këtyre akteve në përshkallëzim dhe serioze”, tha ajo, duke shtuar se sulmet hibride nuk do të mbeten pa përgjigje.
Edhe Rutte ka deklaruar se NATO qëndron në solidaritet të plotë me Berlinin dhe se provat, sipas tij, tregojnë për përgjegjësi ruse.
Incidenti ndodhi më 4 gusht, kur një dron i pajisur me eksploziv u gjet në zonën e sigurisë së aeroportit Leipzig/Halle, pranë një avioni ukrainas të ngarkesave. Një tjetër dron më vonë u përplas me një avion, duke pamundësuar uljen e tij.
Si kundërpërgjigje, Gjermania ka vendosur të mbyllë konsullatën e përgjithshme ruse në Bon dhe të ndërpresë marrëveshjen për funksionimin e “Russian House” në Berlin. Berlini ka paralajmëruar gjithashtu kontrolle më të ashpra ndaj shtetasve rusë dhe ka kërkuar sanksione të reja në nivel të BE-së.
Moska i ka mohuar akuzat e Gjermanisë, duke i cilësuar ato si të pabazuara dhe duke paralajmëruar pasoja për masat e ndërmarra nga Berlini.
Ndërkohë, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka thënë se Rusia po rrit incidentet hibride në Evropë me synimin për ta frikësuar Perëndimin dhe për ta larguar atë nga mbështetja për Ukrainën.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


