Tuesday, September 1, 2026
spot_img
HomeLajmeKurti kërkon takim të ri me Abdixhikun pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve...

Kurti kërkon takim të ri me Abdixhikun pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së për Sejdiun

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kërkuar një takim të ri me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas zhvillimeve të fundit rreth kandidaturës së Bekim Sejdiut për president të vendit.

Kurti ka folur pas takimit me grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ku është diskutuar situata e krijuar pas qëndrimit të gjashtë deputetëve të LDK-së se nuk do ta votojnë Sejdiun.

Ai e ka cilësuar këtë zhvillim si një rrethanë të re, e cila, sipas tij, kërkon konsultime të mëtejshme me kreun e LDK-së dhe strukturat e Vetëvendosjes.

“Natyrisht, kjo mbledhje ishte në dijeni të zhvillimeve të orëve të fundit, ku në njërën anë ishte shpresëdhënëse qëndrimi i kryesisë së LDK-së, mirëpo më pas, patëm edhe këtë njoftimin negativ që 6 deputetë të LDK-së nuk e mbështesin Sejdiun për president. Kjo është një situatë e re, e cila kërkon që unë të takohem përsëri me kryetarin e LDK-së dhe që të rikthehem në kryesinë e VV-së për ta diskutuar rrugën e re që duhet ta ndjekim përpara”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, deputetët e Vetëvendosjes janë të gjithë në mbështetje të kandidaturës së Sejdiut për postin e presidentit.

Ndërkohë, Kurti e ka kritikuar qëndrimin e gjashtë deputetëve të LDK-së, duke e konsideruar atë të papërgjegjshëm dhe të paarsyeshëm.

Ai ka paralajmëruar se dështimi i procesit për zgjedhjen e presidentit dhe rikthimi në zgjedhje do të ishte, sipas tij, i panevojshëm dhe i dëmshëm për vendin.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT