Një shofer është gjobitur me 150 euro dhe një pikë negative, pasi ishte filmuar duke bërë një veprim të rrezikshëm me automjet në rrugët e Malishevës.
Sipas njoftimit të Policisë, rasti është evidentuar më 27 gusht, rreth orës 21:50, në rrugën “Ibrahim Mazreku”, ndërsa pamjet e veprimit ishin publikuar dhe shpërndarë në rrjete sociale nga një portal informativ.
Pas publikimit të videos, zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Malishevë kanë ndërmarrë veprime për identifikimin e automjetit dhe shoferit.
Policia ka bërë të ditur se shoferi, sipas pamjeve, kishte nisur automjetin me shpejtësi të vrullshme, duke shkaktuar rrëshqitje dhe rrotullim të rrotave në vend, si dhe zhurmë të panevojshme.
Për këtë shkelje, ndaj tij është shqiptuar gjobë prej 150 eurosh dhe një pikë negative.
Policia ka paralajmëruar se do të vazhdojë të ndërmarrë masa ligjore ndaj pjesëmarrësve në trafik që me veprime të tilla rrezikojnë sigurinë rrugore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


