Wednesday, August 5, 2026
spot_img
HomeLajmeVendos Gjykata: Një muaj paraburgim për grabitësin që dyshohet se i mori...

Vendos Gjykata: Një muaj paraburgim për grabitësin që dyshohet se i mori 50 euro një të riu me kërcënim thike

Gjykata Themelore në Gjakovë i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji Silver Mersulës, i cili dyshohet për veprën penale të grabitjes.

Sipas Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Silver Mersula 24 vjeçar dyshohet se, nën kërcënimin e një thike dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, i ka marrë viktimës 50 euro.

Tutje, sipas dosjes së rastit, kur i dëmtuari ka tentuar të largohej, i dyshuari dyshohet se e ka kapur për qafe dhe e ka ndjekur, por është penguar nga një dëshmitare. Para se të largohej nga vendi i ngjarjes, ai dyshohet se e ka kanosur sërish viktimën me fjalët: “Ti ke me e pagu shtrejt këtë; ja ti, ja unë, gjallë nuk ki me kon.”

Pas raportimit të rastit në Polici, Silver Mersula është arrestuar nga zyrtarët policorë.

Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për grabitjen që ndodhi më 2 gusht në Gjakovë, ku një person dyshohej se, nën kërcënimin e një thike, i kishte marrë 50 euro një qytetari dhe më pas e kishte kanosur me vdekje.

Gjykata bëri të ditur se gjyqtari i procedurës paraprake, Drilon Haraçia, ka vlerësuar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.

Me vendimin e gjykatës, Silver Mersula do të mbahet në paraburgim për një muaj, periudhë që llogaritet nga data e arrestimit, më 3 gusht 2026.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT