Nis hakmarrja ndaj Jeta Statovcit pasi u rreshtua krah Vjosa Osmanit?
Sipas burimeve të sigurta të Indeks Online, menaxhmenti i RTK-së ka marrë vendim për ta larguar nga pozita e shefit të kameramanëve Krenar Statovcin, vëllain e ish-deputetes së GUXO-se, Jeta Statovci, e cila tani garon për deputete në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, bashkë me Vjosa Osmanin.
Po ashtu raportohet se gjatë ditës së sotme atij i është dorëzuar njoftimi për ndërprerjen e ushtrimit të kësaj detyre. Sipas të njëjtave burime, vendimi është arsyetuar me pretendime për ankesa të mëhershme dhe vlerësime të përgjithshme, të cilat konsiderohen të paqëndrueshme dhe të pambështetura në një procedurë të rregullt disiplinore apo vlerësuese.
Burimet e Indeks Online brenda RTK-së e shohin këtë veprim si fillimin e një fushate hakmarrëse ndaj familjarëve të zyrtarëve që nuk janë në linjë me pushtetin aktual.
Nëse këto pretendime konfirmohen, rasti ngre pikëpyetje serioze mbi standardet e vendimmarrjes në transmetuesin publik dhe mbi mundësinë e përdorimit të pozitave menaxheriale për qëllime të ndikimit politik apo personal.
Për më tepër, Indeks Online raporton se Krenar Statovci është pjesë e RTK-së prej më shumë se 17 vitesh, duke ndërtuar karrierën e tij profesionale brenda transmetuesit publik.
Ndërkohë, Klankosova.tv ka provuar disa herë të marrë një përgjigje nga drejtori i RTK-së, Rilind Gërvalla, por ai nuk është përgjigjur as në telefonata e as në mesazhe.


