Aktorja Hayden Panettiere vdiq si pasojë e efekteve toksike të fentanilit, Xanax-it dhe disa drogave të tjera që u gjetën në organizmin e saj, sipas autopsisë së përfunduar nga Zyra e Mjekut Ligjor të Qarkut Greenville në Karolinën e Jugut.
Zyra e mjekut ligjor tha se vdekja e Panettiere ishte aksidentale dhe se nuk u gjetën shenja traume që mund të kishin kontribuar në vdekjen e saj.
Panettiere vdiq muajin e kaluar, në moshën 36-vjeçare, pasi u gjet pa ndjenja në një banesë në Karolinën e Jugut, raporton BBC.
Aktorja e njohur për serialet televizive amerikane “Heroes” dhe “Nashville” kishte folur hapur për betejën e saj me abuzimin me substancat.
Në organizmin e saj u gjet edhe metokarbamoli, një relaksues muskulor që merret me recetë, si dhe kuetiapina, një medikament antipsikotik që përdoret për trajtimin e disa problemeve të shëndetit mendor. Fentanili është një opioid sintetik që vetëm gjatë pesë viteve të fundit ka shkaktuar vdekjen e qindra mijëra amerikanëve.
Zyra e mjekut ligjor tha se ekipet emergjente kishin “nisur masat e avancuara të mbështetjes kardiake, megjithatë përpjekjet për reanimim ishin të pasuksesshme”.
Agjencia amerikane për luftën kundër drogës (DEA) raportohet se ishte përfshirë në hetimin e policisë lokale për vdekjen e aktores.
Ish-i dashuri i Panettiere, Brian Hickerson, i cili ka pranuar se e kishte abuzuar, dhe vëllai i tij Zack, ndodheshin me Panettiere kur mbërritën shërbimet emergjente, sipas një raporti të policisë të hartuar ditën e vdekjes së saj.
Vetëm disa muaj para vdekjes, Panettiere kishte publikuar një autobiografi, në të cilën kishte rrëfyer në detaje problemet e saj me varësinë dhe depresionin pas lindjes.
Panettiere kishte treguar se ishte njohur me drogat rreth moshës 16-vjeçare, gjatë një paraqitjeje në tapetin e kuq për serialin “Heroes”, kur një anëtar i ekipit të saj profesional i kishte dhënë diçka që e quante “pilulë lumturie” për t’i dhënë energji.
“Nuk e kisha idenë se kjo nuk ishte diçka e përshtatshme apo se çfarë dere do të hapte për mua sa i përket varësisë”, kishte deklaruar ajo për revistën People. “Me kalimin e moshës, drogat dhe alkooli u bënë diçka pa të cilën pothuajse nuk mund të jetoja.”
Vëllai i Panettiere, Jansen, vdiq në moshën 28-vjeçare si pasojë e një problemi në zemër. Në librin e saj, Panettiere kishte zbuluar se edhe vëllai i saj kishte pasur probleme me abuzimin me substancat dhe se kishte përdorur heroinë dhe kokainë para vdekjes së tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


