Për të shtatën natë me radhë, mijëra qytetarë janë mbledhur në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, përmes të cilit katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.
Protestuesit kanë dalë në shesh me pankarta me mbishkrimet “Jo në emrin tim” dhe “Liria ka emër”, ndërsa në mesin e tyre janë parë flamuj kombëtarë, të UÇK-së dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Tubuesit po kërkojnë drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, të cilët u shpallën fajtorë për krime lufte nga Dhomat e Specializuara.
Protesta të ngjashme kundër aktgjykimit janë zhvilluar ditëve të fundit edhe jashtë Kosovës, përfshirë në New York, Kanada, Zvicër, Gjermani dhe Austri.
Dhomat e Specializuara dënuan Hashim Thaçin dhe Jakup Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet burgim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


