Tuesday, May 26, 2026
spot_img
HomeLajmeVala e të nxehtit godet Evropën, 7 të vdekur në Francë

Vala e të nxehtit godet Evropën, 7 të vdekur në Francë

Shtatë persona kanë vdekur në Francë si pasojë e një vale të hershme të të nxehtit ekstrem që po përfshin një pjesë të madhe të Evropës Perëndimore, ndërsa Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë regjistruar temperatura rekord për muajin maj.

“Ajo që mund të them sot është se ka pasur shtatë vdekje të lidhura drejtpërdrejt ose tërthorazi me vapën”, ka deklaruar zëdhënësja e qeverisë franceze, Maud Bregeon, për televizionin TF1.

Sipas agjencisë franceze të motit, Meteo France, temperatura më e lartë e së hënës është regjistruar në 37.1°C pranë Hossegor, në departamentin jugperëndimor Les Landes. Po ashtu, autoritetet kanë bërë të ditur se temperaturat në perëndim të vendit mund të kalojnë 36°C edhe të martën.

Agjencia ka njoftuar se e hëna është “dita më e nxehtë e matur ndonjëherë për muajin maj që nga fillimi i regjistrimeve”, me një temperaturë mesatare kombëtare prej 24.4°C, krahasuar me rekordin e mëparshëm prej 23.7°C në vitin 1944.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Met Office ka bërë të ditur se e hëna ka qenë dita më e nxehtë e muajit maj e regjistruar ndonjëherë, me temperatura që kanë arritur 34.8°C në Kew Gardens, në jugperëndim të Londrës. Agjencia e ka cilësuar këtë nivel si “jashtëzakonisht të pazakontë në Mbretërinë e Bashkuar edhe në mes të verës, e jo më në maj”.

Në Spanjë, temperaturat e larta prej 36–38°C në luginat Guadiana, Guadalquivir dhe Ebro pritet të vazhdojnë deri të premten, sipas shërbimit shtetëror meteorologjik Aemet, i cili ka paralajmëruar se në disa zona temperaturat mund të arrijnë deri në 40°C.

Ndërkohë, tetë nga 96 departamentet administrative të Francës janë vendosur në alarm portokalli për temperatura të larta, niveli i dytë më i lartë i paralajmërimit, që kërkon nga qytetarët të jenë vigjilentë dhe të marrin masa paraprake.

Ky është rasti i parë që sistemi kombëtar i paralajmërimit për vapën aktivizohet në muajin maj që nga viti 2004, kur është vendosur sistemi.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT