Një 23-vjeçar nga Polonia është arrestuar nën dyshimin se ka bërë qindra porosi të rreme picash në emër të personave të tjerë, duke u shkaktuar restoranteve dëme të konsiderueshme financiare.
Byroja Qendrore për Luftimin e Krimit Kibernetik në Poloni bëri të ditur se i riu nga Szczecini dyshohet për përndjekje, mashtrim me identitet dhe shkaktim të dëmeve financiare ndaj disa kompanive.
Sipas hetimeve, porositë përmbanin të dhëna të hollësishme personale të viktimave, ndërsa në disa raste shoqëroheshin edhe me kërcënime serioze, përfshirë rrëmbimin e një të mituri, zjarrvënie dhe shkaktimin e aksidenteve rrugore.
Shumica e porosive u dërguan në Szczecin, por raste të ngjashme u regjistruan edhe në qytete të tjera të mëdha, përfshirë Vroclavin, Krakovin dhe Varshavën.
Në një nga rastet më ekstreme, 23-vjeçari dyshohet se porositi 300 pica me vlerë mbi 37 mijë zlotë, rreth 10 mijë dollarë. Disa restorante i përgatitën porositë dhe pësuan humbje, ndërsa të tjera i anuluan për shkak të sasisë së madhe.
Gjatë bastisjes së banesës së të dyshuarit, policia sekuestroi pajisje elektronike dhe mjete për ruajtjen e të dhënave, të cilat dyshohet se janë përdorur për realizimin e porosive.
Nëse shpallet fajtor, 23-vjeçari mund të dënohet deri në tetë vjet burg. Hetimet po vazhdojnë për të zbardhur motivin e veprimeve të tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


