Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka reaguar ndaj ceremonisë që Serbia i ka organizuar Ratko Mlladiqit dhe paralajmërimit që ai të varroset me nderime shtetërore.
Gjatë adresimit në seancën e ministrave të Çështjeve Evropiane për zgjerimin e BE-së me vendet kandidate dhe potenciale, të mbajtur në Dublin të Irlandës, Zulfaj ka thënë se një veprim i tillë nuk duhet të kalojë pa reagim.
Ai ka theksuar se në takim ishte i pranishëm edhe ministri serb për Integrime Evropiane, ndërsa ka kritikuar ashpër nderimet që autoritetet serbe i kanë bërë Mlladiqit.
“Sot, mes nesh, ndodhet Ministri i Serbisë për Integrime Evropiane, qeveria e së cilit dje e priti me nderime ushtarake trupin e një personi të dënuar për gjenocid, krimin më të rëndë që njeh njerëzimi, dhe synon që këtë fundjavë ta varrosë atë me nderime shtetërore. Kjo është e gabuar. Dhe, do të jetë njollë mbi ndërgjegjen tonë nëse nuk themi asgjë”, ka deklaruar Zulfaj.
Ratko Mlladiq ishte duke vuajtur dënim të përjetshëm për krime të rënda të kryera gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, përfshirë gjenocidin në Srebrenicë.
Ai vdiq në kompleksin e burgut të sigurisë së lartë në Scheveningen, në Hagë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


