Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se ka ndërmjetësuar për uljen e tensioneve mes Izraelit dhe Hezbollahut, duke njoftuar se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka rënë dakord të mos dërgojë trupa në jug të Bejrut.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se zhvilloi një telefonatë “shumë produktive” me Netanyahun, gjatë së cilës, sipas tij, u arrit dakordësia për të shmangur çdo avancim ushtarak drejt kryeqytetit libanez.
“Nuk do të ketë trupa që shkojnë në Bejrut dhe çdo forcë që ishte nisur në atë drejtim është kthyer mbrapsht”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan shtoi se, përmes përfaqësuesve të lartë, ka zhvilluar gjithashtu bisedime me Hezbollahun, i cili sipas tij ka pranuar të ndalojë sulmet kundër Izraelit.
Sipas Trumpit, marrëveshja parashikon ndërprerjen e të gjitha shkëmbimeve të zjarrit, me qëllim që të shmanget një përshkallëzim i mëtejshëm i konfliktit dhe të ruhet armëpushimi në Liban.
Nuk ka pasur ende një konfirmim zyrtar nga qeveria izraelite apo nga Hezbollahu lidhur me deklaratat e presidentit amerikan.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


