Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një marrëveshje me Iranin për çështjen bërthamore është “shumë afër”, por ka theksuar se ende mbeten disa pengesa kyçe që po ngadalësojnë procesin e negociatave.
Sipas tij, Teherani ka bërë disa lëshime të rëndësishme, megjithatë palët ende nuk kanë arritur dakordësi për tre çështje kryesore që konsiderohen vendimtare për finalizimin e një marrëveshjeje.
Një nga pikat më të debatueshme mbetet fati i rezervave të uraniumit të pasuruar të Iranit. Ndërsa Trump ka sugjeruar se Irani mund të pranojë transferimin e tyre në Shtetet e Bashkuara, zyrtarë iranianë e kanë kundërshtuar këtë mundësi, duke e cilësuar “të papranueshme”.
Raportohet se Irani zotëron rreth 400 kilogramë uranium të pasuruar në nivel të lartë, ndërsa një propozim në tryezë përfshin lehtësimin e sanksioneve dhe zhbllokimin e miliarda dollarëve asete iraniane në këmbim të kufizimeve mbi programin bërthamor.
Një tjetër pikë e nxehtë është kohëzgjatja e pezullimit të programit të pasurimit të uraniumit. SHBA ka propozuar një pauzë afatgjatë deri në 20 vjet, ndërsa Irani ka ofruar një pezullim shumë më të shkurtër, që sipas burimeve diplomatike është refuzuar nga Uashingtoni.
Teherani ka deklaruar se nuk do të pranojë ndalimin e plotë dhe të pakufizuar të programit të tij bërthamor.
Një tjetër element i rëndësishëm i negociatave lidhet me situatën në Ngushticën e Hormuzit, një prej rrugëve më strategjike të transportit të naftës në botë. Pavarësisht njoftimeve për lehtësim të përkohshëm të kufizimeve, tensionet janë rikthyer pas raportimeve për incidente me anije tregtare në zonë.
Sipas burimeve, situata mbetet e paqëndrueshme, ndërsa SHBA ka paralajmëruar se kufizimet ndaj porteve iraniane do të vazhdojnë nëse nuk arrihet një marrëveshje përfundimtare.
Negociatat pritet të vijojnë në ditët në vijim, ndërsa afati i armëpushimit aktual është në prag të skadimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


