Mohammad Abdul Zinati, 15-vjeçar, po kthehej në shtëpi nga shkolla përmes rrënojave në rrugën “Salah Khalaf” në qytetin e Gazës, kur u ndal në një market ku zakonisht mblidheshin shokët e tij.
Pak para orës 15:30, një shpërthim i fuqishëm u dëgjua në zonë. Mes shumë njerëzve që dolën në rrugë për të parë se çfarë kishte ndodhur, ishte edhe Mohammadi.
Pasi tymi dhe pluhuri u shpërndanë, në vendin e ngjarjes u pa një burrë i gjakosur, i cili kishte pësuar lëndime të rënda, por ishte ende gjallë dhe kërkonte ndihmë. 15-vjeçari vrapoi drejt tij.
Mohammadi nuk e kishte vërejtur afrimin e një droni izraelit. Brenda pak sekondash, droni lëshoi një municion ajror, i cili shpërtheu disa metra para adoleshentit. Pak çaste më vonë ndodhi shpërthimi i dytë, nga i cili Mohammadi humbi jetën.
Dëshmitarë dhe ekspertë të armëve kanë folur për “The Guardian” për rrethanat e vrasjes së 15-vjeçarit.
“Dëgjuam shpërthim të madh dhe u përpoqëm të shkonim në vendin e ngjarjes për të parë se çka ndodhi”, ka thënë Tamer Lubbad, dëshmitar që incizoi sulmin. “E gjetëm burrin e shtrirë në tokë. Ishte gjallë dhe po kërkonte ndihmë”.
I plagosuri nga sulmi i parë më vonë u identifikua si mjeku Sharif Shadi Labad. Ushtria izraelite ka deklaruar se Labadi ishte cak i sulmit, duke e akuzuar atë për të qenë militant i Hamasit.
Në mesin e personave që iu afruan Labadit ishte edhe kushëriri i Mohammadit, 26-vjeçari Rajeh Zinati.
“Dola nga shtëpia për të parë se çka ndodhi. Gjatë rrugës pash kushëririn tek dilte nga marketi. Po vraponte drejt vendit të ngjarjes. Bërtita “Mohammed ndal”, por nuk më dëgjoi dhe ecte. Më pas e pash dronin në qiell. Nisa sërish t’i bërtitja “Ik, largohu”. Në atë moment, Mohammadi i ri veçse kishte mbërritur tek i lënduari. Sapo u afrua krejt, droni e goditi edhe atë. Mohammedi u godit në gjoks dhe abdomen dhe vdiq. Nuk mund të bëja asgjë për ta shpëtuar”, ka rrëfyer Zinati.
Izraeli në vazhdimësi ka mohuar pretendimet se i ka civilët në shënjestër, duke deklaruar se gjatë operacioneve ushtarake merr parasysh rrezikun e dëmtimit të civilëve.
Megjithatë, ekspertë të armëve që kanë analizuar videon e sulmit kanë thënë se vrasja e 15-vjeçarit mund të ishte shmangur.
“Bomba që shihet para shpërthimit është ‘Mikholit’, që lëshohet nga automjetet ajrore pa pilot ose dronët izraelitë”, ka thënë Trevor Ball, studiues luftërash dhe ekspert i dronëve. “Këta dronë janë të pajisur me kamera të cilësisë së lartë, që do të kishin mundësi ta shihnin adoleshentin. Të paktën disa variante të ‘Mikholitit’ kanë kapacitet për t’u ridrejtuar drejt një objektivi apo pike tjetër gjatë fluturimit”.
Sulmi që vrau 15-vjeçarin dhe mjekun është përshkruar si një “sulm i dyfishtë”, ku një shpërthim pasohet nga një tjetër në të njëjtin lokacion, pasi aty afrohen ekipet e shpëtimit ose persona të tjerë për t’u ardhur në ndihmë të plagosurve.
Në një deklaratë për “The Guardian”, ushtria izraelite e ka cilësuar Labadin terrorist. Për shpërthimin e dytë, ushtria nuk ka dhënë një shpjegim, por ka thënë se është në dijeni të raportimeve të tilla dhe se i vjen keq për çdo dëm që u shkaktohet personave të papërfshirë në luftime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


