Një shpërthim i fuqishëm pranë një baze policore në qytetin Cucuta të Kolumbisë ka lënë të plagosur 11 efektivë policie, ndërsa autoritetet dyshojnë se pas sulmit qëndron grupi rebel Ushtria Çlirimtare Kombëtare (ELN).
Sipas autoriteteve kolumbiane, shpërthimi u shkaktua nga një kamion i mbushur me eksploziv, i cili ishte lënë përpara selisë së policisë në provincën Santanderi Verior, pranë kufirit me Venezuelën.
Si pasojë e shpërthimit u dëmtua rëndë çatia e ndërtesës, u thyen dritaret dhe humbi jetën edhe një qen policie.
Drejtori i Policisë së Kolumbisë, gjenerali William Rincón, e cilësoi ngjarjen si një “sulm terrorist”, duke theksuar se autorët do të ndiqen deri në kapjen e tyre.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Pedro Sanchez, fajësoi grupin rebel ELN për sulmin dhe njoftoi një shpërblim prej 60 mijë dollarësh për çdo informacion që çon në identifikimin dhe arrestimin e autorëve.
Sulmi ndodhi në një periudhë të ndjeshme politike, teksa Kolumbia po përgatitet për inaugurimin e presidentit të ri.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


