Tuesday, August 4, 2026
spot_img
HomeLajmeTransparenca buxhetore në rritje: GAP: 10 komuna me pikë maksimale

Transparenca buxhetore në rritje: GAP: 10 komuna me pikë maksimale

Instituti GAP ka publikuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2025”, i cili vlerëson nivelin e transparencës buxhetore në 38 komunat e Kosovës përmes një metodologjie të standardizuar.

Për vitin 2025, mesatarja e pikëve të Indeksit të Transparencës Buxhetore ka arritur në 64.5 pikë, krahasuar me 61 pikë në vitin 2024. Gjatë këtij viti, 10 komuna kanë arritur rezultatin maksimal prej 100 pikësh, ndërsa gjysma e komunave (19 nga 38) kanë grumbulluar së paku 89.5 pikë, duke dëshmuar një përmirësim të përgjithshëm të transparencës buxhetore. Në anën tjetër, gjashtë komuna – Kllokoti, Leposaviqi, Parteshi, Shtërpca, Zubin Potoku dhe Zveçani – nuk kanë arritur të grumbullojnë asnjë pikë.

Gjatë vitit 2025 janë publikuar gjithsej 240 dokumente buxhetore, përfshirë raportet financiare dhe dokumentet mbështetëse të politikave buxhetore, siç është Rregullorja për ndarjen e subvencioneve. Dokumentet më të publikuara kanë qenë raportet financiare të buxhetit, me gjithsej 133 dokumente, transmeton Klankosova.tv.

Në kuadër të procesit të planifikimit të buxhetit për vitin 2026, komunat kanë organizuar gjithsej 119 dëgjime buxhetore. Nga 38 komuna, 28 kanë mbajtur së paku katër dëgjime me qytetarët, një komunë ka organizuar tri dëgjime, një tjetër dy dëgjime, ndërsa një komunë vetëm një dëgjim buxhetor, transmeton Klankosova.tv.

Sa i përket formatit të publikimit, 76% e dokumenteve buxhetore janë publikuar në formate të hapura dhe lehtësisht të përdorshme, kryesisht në Excel dhe Word. Ndërkaq, 8% janë publikuar në format PDF, ndërsa 16% si dokumente të skanuara. Dokumentet më të publikuara nga komunat kanë qenë Korniza Afatmesme Buxhetore dhe Rregullorja për ndarjen e subvencioneve, të publikuara nga 30 komuna. Po ashtu, 29 komuna kanë publikuar raportet financiare për tremujorin e parë dhe të dytë, ndërsa 28 komuna kanë publikuar Raportin Vjetor Financiar për vitin 2025.

Krahasuar me vitin paraprak, progresin më të madh e kanë shënuar komunat e Obiliqit, me një rritje prej 60 pikësh, Ferizajt, me 52.5 pikë, dhe Gjilanit, me 43.5 pikë më shumë. Në anën tjetër, rënien më të madhe e kanë shënuar Vitia (-35 pikë), Mitrovica e Veriut (-29 pikë) dhe Lipjani (-15 pikë).

Raporti evidenton një përparim të rëndësishëm në transparencën buxhetore në nivel lokal, por njëkohësisht thekson nevojën për standardizimin e formateve të publikimit të dokumenteve dhe forcimin e mekanizmave të qëndrueshëm të llogaridhënies në të gjitha komunat.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT