Një aksident i rëndë trafiku i ndodhur muajin e kaluar në rrugën nacionale Prishtinë–Mitrovicë ka marrë epilog tragjik. Hajdar Klinaku, 77-vjeçar, i cili ishte goditur nga një veturë derisa po kalonte rrugën në Vushtrri, ka ndërruar jetë pas disa javësh trajtim mjekësor, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se aksidenti kishte ndodhur më 5 gusht, rreth orës 22:25, në rrugën nacionale Prishtinë–Mitrovicë, në Vushtrri.
Në aksident ishte përfshirë një veturë Mercedes-Benz me targa gjermane, e drejtuar nga Fehmi Zena, 56-vjeçar, shtetas i Gjermanisë, dhe këmbësori Hajdar Klinaku.
Sipas informacioneve fillestare, dyshohet se Klinaku ishte duke kaluar rrugën kur është goditur me pjesën e përparme të automjetit.
Goditja i kishte shkaktuar lëndime të rënda dhe viktima fillimisht ishte dërguar në Emergjencën e Spitalit të Vushtrrisë, prej nga ishte transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në gjendje të rëndë.
Pas rreth tri javësh trajtim në QKUK, më 26 gusht ai ishte transferuar në Repartin e Kujdesit Intensiv të Spitalit Rajonal në Mitrovicë.
Në orët e para të 2 shtatorit, rreth orës 00:10, është konfirmuar se 77-vjeçari ka ndërruar jetë.
Pas vdekjes së tij është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka kërkuar sigurimin e raporteve mjekësore dhe sqarimin e shkakut të vdekjes.
Hetimet tashmë duhet të përcaktojnë nëse vdekja e Klinakut ka ardhur si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident apo nga komplikime të tjera shëndetësore.
Rasti vazhdon të hetohet nga Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor në Mitrovicë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


