Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Aleancës ia kanë zënë sërish derën Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që të thirret seanca konstituive e Kuvendit.
Në aksionin e tyre janë bashkuar edhe asamblistë nga Prishtina.
Asamblisti në Komunën e Prishtinës, Yll Muriqi, tha se institucionet nuk po funksionojnë dhe se vendi është në bllokadë.
“Sërish jemi mbledhur para jush për të kërkuar llogari nga deputeti Albin Kurti, i cili e ka sjellë vendin në bllokadë totale. Ne e dimë që institucionet nuk po funksionojnë, vendi është paralizuar dhe të gjitha këto probleme qytetare vetëm po vijnë duke u grumbulluar. Në vend që në këtë kohë institucionet të funksionojnë, ne kemi komplet situatën e paralizuar dhe në vend që të kemi përgjegjësi, ne kemi arsyetime. Në vend të zgjidhjeve, ne kemi domethënë vetëm propagandë. Kosova nuk mund të mbahet peng nga paaftësia e një njeriu kokëfortë siç është Albin Kurti, i cili nuk di të qeverisë“, tha Muriqi.
Kurse, deputeti i PDK-së, Artan Behrami, tha se vendi ndodhet në krizë kushtetuese, politike dhe ekonomike.
“Edhe sot bashkë me kolegët e Partisë Demokratike të Kosovës, të Aleancës dhe asamblistë kemi ardhur për të dalë sërish para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe për të përçuar mesazhin te qytetarët e Kosovës se kjo ndërtesë e qeverisë është uzurpuar, është okupuar nga një deputet i cili që nga viti 2025 e mban Kosovën peng, e mban Kosovën në kriza të vazhdueshme dhe kriza është e shumefishtë.
Jemi në një krizë kushtetuese më të thellën që nga historia e Kosovës, jemi në një krizë politike më të thellën që nga paslufta në Republikën e Kosovës, jemi në një krizë ekonomike, në një krizë edhe me aleatët tanë.
Qeveria e Kosovës e ka pasur një buxhet prej 4 miliardë euro. Sot jemi në shtator. Ku janë këto para? Ku kanë shkuar këto para? Pra nuk kemi asnjë projekt, nuk kemi asnjë projekt në shëndetësi, asnjë projekt në infrastrukturë, asnjë projekt në fushën e arsimit dhe jemi në një kolaps total.
Prandaj thirrja jonë edhe një herë është që të rikthehemi në Kuvend, të konstituojmë institucionet e Republikës së Kosovës dhe që të vazhdojmë t’i adresojmë sfidat e brendshme dhe të jashtme që i presin Republikën e Kosovës. Kjo përpjekje e zotëri Kurtit, këto tundime për t’u shndërruar në një autokrat do të dështojnë sepse ne, edhe si parti politike, edhe në parlament do të bëjmë çdo gjë për të parandaluar diçka të tillë dhe për të rikthyer edhe një herë Kosovën në binarët kushtetues“, tha Behrami.
Ndërkaq, deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, tha se aksionet po zhvillohen për të tërhequr vëmendjen dhe për të kërkuar kthimin në institucione.
“Ashtu siç e tha edhe kolegu ynë, bashkë me deputetët e PDK-së dhe ne Aleanca, po dalim çdo ditë këtu në aksione simbolike për të marrë vëmendje dhe për të kërkuar që t’i kthehemi institucioneve, që t’i kthehemi kushtetutshmërisë.
Përderisa në çdo sektor kemi ngecje, ne duhet të ballafaqohemi me probleme të tjera sepse njeriu i cili ka fituar zgjedhjet nuk i kthehet institucioneve, nuk e konstituon Kuvendin dhe e ka çuar vendin në një bllokadë.
Përderisa fëmijët ballafaqohen me sigurinë e testeve shkollore, me komplikimin që e ka bërë Ministria e Arsimit, përderisa shkollat kanë filluar procesin mësimor pa ditarë në shkolla, përderisa të sëmurët dhe pacientët na drejtohen për shkak se nuk ka barna në onkologji dhe në sektorët e tjerë dhe detyrohen t’i blejnë — dhe e dimë që e kanë një kosto të lartë buxhetore —, përderisa Ministria e Shëndetësisë ka vite që s’ka hapë konkurs për pranimin e specijalizantëve të cilët kërkojnë që të avancohen në shëndetësi në drejtimet përkatëse, domethënë e kemi një bllokadë totale.
E kemi një bllokadë totale dhe arsyeja që po dalim, kërkojmë që ta zhbllokojmë këtë bllokadë të cilën qëllimshëm po e shkakton Albin Kurti. Adresa e kësaj bllokade, adresa e së keqes së këtij vendi është Albin Kurti“, tha Kadrijaj.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


