Hetimet për vjedhjen e dy pushkëve dhe dhjetëra fishekëve nga një shtëpi në Vushtrri kanë marrë një kthesë të rëndësishme, pasi pamjet e kamerave kanë çuar Policinë te një person i dyshuar, ndërsa veprimet e mëtejshme kanë përfunduar me bastisje në Mazgit të Obiliqit dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme armësh e municioni, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti kishte ndodhur më 27 gusht, në rrugën “Murat Rashica” në Vushtrri, në shtëpinë e B. Rashicës.
Sipas informacioneve të para, derisa në shtëpi nuk ndodhej askush nga familjarët, persona të panjohur dyshohet se kishin hyrë brenda përmes një dritareje të hapur.
Nga njëra prej dhomave ishin vjedhur dy pushkë gjuetie, të cilat pronari i posedonte me leje, si dhe 82 fishekë të kalibrave të ndryshëm. Vlera e armëve të vjedhura, sipas deklarimit të pronarit, ishte rreth 2 mijë euro.
Fillimisht, i dëmtuari kishte deklaruar se nuk dyshonte te ndonjë person konkret.
Por dy ditë më vonë hetimet kanë marrë drejtim tjetër.
Një familjar, i cili kishte siguruar pamjet e kamerave të një shtëpie në afërsi, ka deklaruar para hetuesve se gjatë shikimit të incizimeve kishte arritur ta identifikonte personin që shihej duke hyrë në shtëpi.
Sipas dëshmisë së tij, bëhej fjalë për Armen Muratin, 32-vjeçar, të cilin dëshmitari e njihte edhe më parë.
Mbi bazën e këtyre informacioneve, hetuesit kanë zgjeruar veprimet dhe kanë verifikuar edhe një automjet që dyshohej se ishte përdorur për t’i ndihmuar të dyshuarit.
Gjurmët i kanë çuar në fshatin Mazgit të Obiliqit, ku, në koordinim me Prokurorin kujdestar, është kryer kontrolli i një vendbanimi.
Gjatë bastisjes, hetuesit e Vushtrrisë kanë gjetur dhe sekuestruar çanta armësh dhe dhjetëra fishekë të kalibrave të ndryshëm, të cilët dyshohet se lidhen me vjedhjen.
Por kontrolli ka nxjerrë edhe sende të tjera.
Policia në Obiliq ka sekuestruar, ndër të tjera, një armë gjysmëautomatike Walter Magnum, karikatorë të armëve, përfshirë një të pistoletës Glock, si dhe municion të kalibrave të ndryshëm.
Siç mëson Sinjalk, në dosjen e pranuar nga Prokuroria, si persona të dyshuar figurojnë Armen Murati dhe Labinot Sekiraqa.
Rasti ishte iniciuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar rolin e secilit person të përfshirë dhe prejardhjen e armës e municionit të sekuestruar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


