Kandidati i Aleancës për deputet, Besnik Tahiri ka komentuar përfshirjen e një fëmije në një tubim elektoral të Lëvizjes Vetëvendosje.
Tahiri tha se vendosja e një fëmije për të recituar një tekst në një tubim politik nuk i përkon natyrës së aktiviteteve të tilla dhe, sipas tij, cenon vlerat familjare dhe traditën shqiptare.
“Vendosja e një fëmije që të recitojë një tekst, i cili vetëm një tubimi politik nuk i përkon, një tekst i cili në themel e prek jo vetëm e godet traditën tonë të shqiptarit, por e godet në esencë një fëmijë, e një familje, për çka, për me i thënë “Albin baba”, tha ai.
Duke iu referuar shprehjes “Albin baba”, Tahiri tha se është pikërisht ai që Kosovën e ka lënë me raporte të dëmtuara si me Shqipërinë e poashtu edhe me shtetet që kanë mbështetur Kosovën ndër vite.
“Albin baba” mund t’i thotë vetes “Albin baba” dhe vajzës së vet, por “Albin baba” pa asnjë dyshim e ka lënë Kosovën jetim. Është jetim, është e prishur me Shqipërinë, jetim e prishur me vendet që e kanë ndihmu lindjen e këtij shteti, e ky njeri kënaqet, buzëqesh, e zgërdhihet para një fëmije dhe e keqpërdor skajshmërisht”, tha ai.


