Nënkryetari i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, Dmitry Medvedev, ka reaguar pasi një dron rus goditi një ndërtesë në Rumani, duke lënë të plagosur dy persona, duke lëshuar njëkohësisht edhe kërcënime ndaj vendeve evropiane.
“Qytetarë të vendeve të Bashkimit Evropian, duhet ta kuptoni se autoritetet tuaja kanë hyrë në mënyrë të njëanshme në luftë me Rusinë. Prandaj bëni kujdes dhe mos u habitni nga asgjë. Gjumi i qetë ka përfunduar. Por ju e dini kë duhet të pyesni për arsyen”, deklaroi Medvedev.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur një nga dronët rusë të lëshuar drejt Ukrainës perëndimore ka kaluar kufirin dhe ka goditur një ndërtesë banimi në Rumani, duke plagosur dy persona.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta nga Bashkimi Evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka deklaruar se lufta agresive e Rusisë ka kaluar edhe një kufi tjetër.
“Lufta agresive e Rusisë ka kaluar edhe një kufi tjetër. Një sulm me dron rus goditi një zonë të dendur të banuar në Rumani, ku mbetën të plagosur civilë, në territor të Bashkimit Evropian. Ne qëndrojmë plotësisht pranë Rumanisë dhe qytetarëve të saj. Ndërsa vazhdojmë të forcojmë sigurinë dhe kapacitetet parandaluese, veçanërisht në kufirin lindor, do të vazhdojmë të rrisim presionin ndaj Rusisë. Po përgatisim paketën e 21-të të sanksioneve”, ka thënë von der Leyen.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


