Thursday, September 3, 2026
spot_img
HomeLajmeE rëndë në Istog | 15-vjeçarja denoncon se u dhunua nga 17-vjeçari...

E rëndë në Istog | 15-vjeçarja denoncon se u dhunua nga 17-vjeçari që njohu në Snapchat – i mituri arrestohet dhe ndalohet

Një rast i rëndë është raportuar në Istog, ku një vajzë 15-vjeçare ka deklaruar para organeve të rendit se është dhunuar seksualisht nga një 17-vjeçar, të cilin e kishte njohur përmes rrjetit social Snapchat, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, rasti ka ndodhur në orët e para të 2 shtatorit, ndërsa Policia fillimisht ishte alarmuar pas informatave se në zonën e Tomocit ishte dëgjuar një vajzë duke kërkuar ndihmë.

Patrulla policore është aktivizuar menjëherë dhe gjatë trajtimit të rastit ka takuar edhe prindin e 15-vjeçares.

Palët më pas janë shoqëruar në Stacionin Policor në Istog, ku ka nisur trajtimi i rastit në praninë e autoriteteve kompetente për të mitur.

Gjatë intervistimit, 15-vjeçarja ka deklaruar se 17-vjeçarin e kishte njohur rreth një muaj më parë përmes Snapchat-it.

Sipas versionit të saj, gjatë natës së 2 shtatorit ata kishin shkuar së bashku në një motel në fshatin Drogolevc të Istogut, ku ajo pretendon se 17-vjeçari ka kryer marrëdhënie seksuale me të pa dëshirën e saj.

I mituri i dyshuar është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës dhe ka dhënë një version tjetër të ngjarjes.

Ai ka deklaruar se vajzën e njihte prej rreth dy deri në tre muajsh dhe ka pohuar se në motel kishin shkuar me dëshirën e saj, por ka mohuar se mes tyre kishte pasur marrëdhënie seksuale.

Për shkak të natyrës së rëndë të pretendimeve dhe faktit se të dy personat e përfshirë janë të mitur, në trajtimin e rastit është përfshirë edhe Prokurori i Shtetit për të Mitur, së bashku me njësitë përkatëse.

Pas veprimeve fillestare, rasti është iniciuar për “Dhunim”, ndërsa me urdhër të Prokurorit 17-vjeçari është ndaluar për 24 orë.

Hetimet do të vazhdojnë për të verifikuar deklarimet e palëve dhe për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT