Varfëria ekonomike në vend i solli ide për biznes. E mendoi gjatë, e në fund Arben Dinaj nga fshati Raushiq i Pejës, vendosi që të importonte vetura të lira nga Danimarka e të i sillte në Kosovë.
Mirëpo sipas tij, para se të fillonte biznesin, shkoi në Doganë e pyeti se mund të zhvillojë një veprimtari të tillë.
Me të marrë dritën e gjelbër nga Dogana, 54-vjeçari solli veturat e para nga Danimarka për t’i shitur në Kosovë, raporton Kiks Kosova.
Herën e tretë kur veturat arritën në terminalin doganor në Pejë, diçka nuk po shkonte.
6 nga 8 veturat e sjella, sipas Doganës, nuk posedonin dokumentacionin e duhur, andaj nuk mund të kalonin.
Dinajt iu shqiptua një gjobë prej 1 mijë eurosh nga sektori për Kundërvajtje Doganore.
54-vjeçari, për KIKS Kosovën tha se priti disa ditë me shpresën se do ishte një keqkuptim, mirëpo veturat nuk i pa më kurrë.
Çka Dinaj tha se e shqetësonte më shumë ishte fakti se i njëjti veprim më herët nuk i ishte ndaluar ndërsa tani po.
Atëkohë, ai së pari kishte bërë ankesë në Doganën e Kosovës, mirëpo përgjigjja qe negative.
Përgjigjen që donte nuk e mori as nga Gjykata kur u ankua në të dyja shkallët.
Ndalja dhe asgjësimi i atyre 6 veturave, 54-vjeçari thotë se i solli dëm ekonomik ngase kishte marrë kredi e borxhe për biznes.
Borxhet e mbetura, Dinaj thotë se e pati shumë të vështirë t’i shlyente.
Kjo gjendje financiare, Dinaj thotë se ia pamundësoi edhe shërimin e fëmijëve, që sipas tij, iu sëmurën nga stresi.
Mirëpo në një përgjigje me shkrim për KIKS-in, Dogana e Kosovës tha se Dinaj nuk kishte deklaruar gjendjen faktike të veturave të sjella.
Pas shqyrtimit të gjendjes reale, Dogana kishte klasifikuar veturat dhe ishte zbatuar edhe rregulli i vjetërsisë, e që veturat e Dinajt nuk e posedonin vjetërsinë e duhur për doganim.
Kësisoj, nga Dogana 54-vjeçarit i ishte shqiptuar gjoba prej 1 mijë eurosh në përputhje me dispozitat ligjore.
Tutje nga Dogana u shpjegua se pala është njoftuar me opsionet me të cilat ka të drejtë të vazhdojë mirëpo nuk kanë marrë ndonjë përgjigje vendimmarrëse nga ai.
Në vijim gjeni kronikat e përgatitura nga Kiks Kosova për këtë rast:
Ndiqeni emisionin e plotë:


