14 vatra zjarri në Shqipëri gjatë 10 orëve të fundit, 7 ende aktive – ndërhyrje me zjarrfikës, helikopter dhe avion
Gjatë 10 orëve të fundit në Shqipëri janë raportuar 14 vatra zjarri, prej të cilave 7 vazhdojnë të jenë aktive, kanë njoftuar autoritetet.
Në terren po operojnë strukturat e mbrojtjes civile me 29 automjete zjarrfikëse, 246 forca operacionale, 90 pjesëtarë të Forcave të Armatosura, si dhe një helikopter dhe një avion “Air Tractor” të Forcës Ajrore, raporton A2 CNN, transmeton Sinjali.
Ndërhyrjet janë përqendruar në disa zona, përfshirë Dajtin, Mallakastrën, Elbasanin, Libohovën, Dropullin, Selenicën dhe Skraparin.
Situata më shqetësuese paraqitet në Mallakastër, ku ekipet po punojnë intensivisht për të penguar përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.
Në zonat e tjera ku janë aktivizuar vatrat e zjarrit, operacionet vijojnë, ndërsa sipas autoriteteve nuk raportohet rrezik për banesat.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka bërë të ditur se po vazhdon monitorimin e situatës dhe koordinimin e ndërhyrjeve, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


