Një person ka mbetur i plagosur rëndë, ndërsa një grua ka pësuar lëndime të lehta si pasojë e një shpërthimi që ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në një veturë në Gjilan.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Sipas tij, rreth orës 21:45, Policia ka pranuar një informacion se në rrugën “Lufta e Gjilanit 44” kishte ndodhur një shpërthim në një automjet.
Hashani bëri të ditur se patrullat policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku nga hetimet e para është konstatuar se një veturë është dëmtuar dhe dyshohet se shpërthimi është shkaktuar nga një mjet shpërthyes.
Në automjet ndodheshin dy persona – shoferi dhe një pasagjere. Si pasojë e shpërthimit, shoferi ka pësuar lëndime të rënda dhe është dërguar me urgjencë në spital, ndërsa pasagjerja ka marrë lëndime të lehta.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse të Policisë dhe prokurori kujdestar i shtetit, i cili po e udhëheq rastin.
Motivet e këtij rasti ende nuk dihen, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


