Shkëmb Manaj ka reaguar pasi është shkarkuar si nënkryetar i Komunës së Prishtinës nga Përparim Rama, ku në vend të tij erdhi Besianë Musmurati, pas koalicionit me PDK’në në kryeqytet.
Mes tjerash, Manaj ka aluduar se Rama s’ka raporte të mira me LDK’në. Këtë aludim e ka bërë me anë të një reagimi në ‘Facebook’ pas shkarkimit të tij.
“Për të gjithë ata që më njohin, unë kam lidhje të veçantë me LDK. Andaj, është e natyrshme që kush nuk ka raport të mirë me LDK, nuk mund të vazhdoj të ketë një raport të mirë as me mua si përfaqësues politik i saj”, ka deklaruar ndër të tjera ai.
Postimi i plotë:
Një mandat i plotë në shërbim të Prishtinës!
Si përfaqësues politik i LDK-së, gjatë këtij mandati i jam përkushtuar plotësisht Kryeqytetit – fillimisht si këshilltar politik i z. Rama dhe më pas si nënkryetar i Prishtinës – duke dhënë angazhimin tim maksimal në çdo përgjegjësi e vendim që ka ndikuar në zhvillimin e Kryeqytetit.
Shpreh mirënjohje të veçantë për Lidhjen Demokratike të Kosovës, strukturat tona në Prishtinë, kolegët dhe bashkëpunëtorët në Komunë, për kryetarin Lumir Abdixhiku për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, si dhe për kryetarin Rama për bashkëpunimin gjatë këtij mandati qeverisës.
Një falënderim i madh shkon për qytetarët e Prishtinës.
Çdo angazhim, çdo vendim dhe çdo përballje që kam pasur direkt me qeverisjen qendrore, gjatë këtij mandati ka pasur një qëllim – mbrojtjen e interesit të qytetarëve të Prishtinës, besimi dhe mbështetja e të cilëve kanë qenë dhe mbetën forca që më shtynë përpara në çdo hap!
Për të gjithë ata që më njohin, unë kam lidhje të veçantë me LDK. Andaj, është e natyrshme që kush nuk ka raport të mirë me LDK, nuk mund të vazhdoj të ketë një raport të mirë as me mua si përfaqësues politik i saj.
Po e përmbyll këtë kapitull me ndjenjën e përmbushjes për angazhimin e plotë dhe kontributin e dhënë për Kryeqytetin, tani në një dimension më të gjerë, një fazë të re për LDK-në dhe për Kosovën.
Një LDK e bashkuar, nën vizionin e Kryetarit Lumir Abdixhiku dhe Presidentës znj. Vjosa Osmani, janë binomi i drejtimit të duhur për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Gjatë javëve të fundit, kam qenë i angazhuar në përbashkimin e madh të LDK-së, një proces që do ta rikthejë atë fuqishëm si forcë kryesore politike në vend. Kjo është e domosdoshme tani për tani! Të tjerat rregullohen me kohë!
Falemnderit nga zemra!
I juaji,
Shkëmbi
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


