Wednesday, September 9, 2026
spot_img
HomeLajme“Pasurohet” edhe më shumë lideri më i paguar në botë, rroga i...

“Pasurohet” edhe më shumë lideri më i paguar në botë, rroga i rritet edhe për 1 milion euro

Qeveria e Singaporit ka vendosur të rrisë pagat vjetore të ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të lartë të vendit, përfshirë kryeministrin Lawrence Wong, i cili edhe para rritjes ishte lideri politik më i paguar në botë.

Wong do të përfitojë një rritje prej rreth 1 milion eurosh në vit, ndërsa ka deklaruar se të gjithë shumën e rritjes së pagës do ta dhurojë për bamirësi gjatë pesë viteve të ardhshme.

Kryeministri singaporian e ka arsyetuar rritjen e pagave me nevojën për të tërhequr njerëz më të aftë në drejtimin e vendit. Qeveria e Singaporit prej vitesh mbron politikën e pagave të larta për zyrtarët, duke argumentuar se një sistem i tillë ndihmon edhe në parandalimin e korrupsionit.

Megjithatë, vendimi nuk ka kaluar pa kritika. Në vend janë të pranishme shqetësimet për sigurinë e vendeve të punës dhe rritjen e kostos së jetesës, duke bërë që rritja e pagave të zyrtarëve të lartë të ngjallë debat.

Edhe para kësaj rritjeje, Wong renditej dukshëm mbi liderët e tjerë politikë sa i përket pagës. Aktualisht, ai merr rreth 2.2 milionë euro në vit, ndërsa me rritjen e re paga e tij do të rritet me më shumë se 60 për qind.

Pas Wong, në listën e liderëve politikë më të paguar renditet shefi ekzekutiv i Hong Kongut, John Lee, me rreth 719 mijë euro në vit, ndërsa presidenti i Zvicrës, Guy Parmelin, merr rreth 606 mijë euro në vit.

Në krahasim me ta, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka një pagë vjetore prej 400 mijë eurosh, ndërsa kryeministri britanik Andy Burnham merr rreth 230 mijë euro në vit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT