Sinjali raportoi ekskluzivisht më herët emrat e pesë zyrtarëve të Komunës së Fushë Kosovës, të cilët u arrestuan nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në kuadër të një hetimi për një pronë prej rreth dy hektarësh në Sllatinë, që dyshohet se u tentua të tjetërsohej dhe të shitej për 1 milion e 550 mijë euro.
Në mesin e të arrestuarve është edhe Gëzim Zogjani, drejtor i Pronës në Komunën e Fushë Kosovës, ndërsa bashkë me të janë arrestuar edhe Adelina Gashi, shefe e Gjeodezisë, Liridona Mustafa, zyrtare ligjore, Driton Gojnovci, zyrtar në Zyrën e Pritjes dhe Enver Asllani, referent në Zyrën e Kadastrit.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se arrestimet janë rezultat i hetimeve të zhvilluara nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, nën dyshimet se zyrtarët komunalë, duke shfrytëzuar autoritetin që buronte nga pozitat e tyre, u kanë mundësuar dy personave të nacionalitetit serb të pajisen me fletë poseduese dhe kopje të planit për një parcelë në Sllatinë.
Dokumentacioni dyshohet se është siguruar në mënyrë të kundërligjshme, përmes përdorimit të dokumenteve të dyshuara si të rreme dhe aplikimit pa dokumentet e nevojshme.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, prona ka një sipërfaqe prej rreth dy hektarësh dhe dyshohet se, pasi personat e përfshirë janë pajisur me dokumentacionin përkatës, kanë tentuar ta tjetërsojnë dhe shesin atë përmes një noterie.
Blerësve potencialë dyshohet se u është paraqitur dokumentacioni si i rregullt, ndërsa vlera e transaksionit të planifikuar dyshohet të ketë qenë 1 milion e 550 mijë euro.
Hetuesit dyshojnë se roli i zyrtarëve komunalë nuk është kufizuar vetëm në pajisjen me dokumentacion, pasi sipas provave dhe informacioneve të siguruara gjatë hetimit, ata dyshohet se janë angazhuar edhe për lehtësimin e procedurave për personat e përfshirë, përfshirë sigurimin e terminit te noterja dhe shërbime të tjera që lidhen me realizimin e shitjes.
Policia, në koordinim me Departamentin e Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ka analizuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë brenda Komunës së Fushë Kosovës, krahas deklaratave të personave të përfshirë dhe provave të tjera të siguruara gjatë hetimeve.
Dyshimet e hetuesve janë se përmes kësaj skeme është tentuar të shitet, në emër të pronarit të vërtetë, prona e viktimës dhe njëkohësisht të mashtrohen blerësit për shumën prej 1 milion e 550 mijë eurosh.
Pesë zyrtarët komunalë janë intervistuar sot në cilësinë e të dyshuarve, në prani të avokatëve mbrojtës.
Pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin e rastit, ndaj Gëzim Zogjanit, Adelina Gashit, Liridona Mustafës, Driton Gojnovcit dhe Enver Asllanit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ata dyshohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Bashkëkryerja”.
Rasti është pjesë e një hetimi më të gjerë. Sipas informacioneve të Sinjalit, deri më tani janë arrestuar dhe ndaluar gjithsej 10 persona, prej të cilëve pesë ndodhen në paraburgim, ndërsa pesë të arrestuarit e fundit janë dërguar në mbajtje.
Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


