Tuesday, September 8, 2026
spot_img
HomeLajmeRamaj në vëmendjen e BILD për Gjermaninë, përmendet edhe Kosova

Ramaj në vëmendjen e BILD për Gjermaninë, përmendet edhe Kosova

Forma e shkëlqyer që po kalon Diant Ramaj në Danimarkë mund ta afrojë atë me një mundësi të madhe në karrierë – të bëhet pjesë e Kombëtares së Gjermanisë nën drejtimin e trajnerit të ri, Jürgen Klopp.

Kështu e nis shkrimin për portierin kosovar me pasaportë gjermane gazeta e madhe gjermane “BILD”, e cila e ka përfshirë Ramajn në mesin e kandidatëve për portën e Gjermanisë në epokën e Kloppit.

Në listën e portierëve të cilët mund të jenë në planet e trajnerit të ri gjerman, “BILD” ka përmendur edhe 24-vjeçarin, duke vlerësuar formën e tij aktuale.

“Ndoshta edhe Diant Ramaj, nëse ai vazhdon formën e tij aktuale”, shkruan BILD.

Gazeta gjermane ka përmendur edhe Kosovën në shkrimin për Ramajn, duke rikujtuar se portieri mund ta përfaqësojë Kosovën, por se dëshira e tij e shprehur më herët ka qenë të luajë për Gjermaninë.

“Ramaj mund të luajë për Kosovën, por gjithmonë e ka bërë të qartë në të kaluarën se dëshiron të luajë për Gjermaninë nëse i jepet mundësia”, shkruan tutje gazeta gjermane.

Ramaj është nën kontratë me Borussia Dortmundin deri në vitin 2028, por aktualisht është i huazuar te Copenhageni, ku ka gjetur më shumë hapësirë për të luajtur për shkak të konkurrencës së madhe në portën e Dortmundit.

Portieri i parë i Dortmundit është Gregor Kobel.

Paraqitjet e Ramajt kanë lënë përshtypje edhe te trajneri i Copenhagenit, Bo Svensson, i cili ka vlerësuar aftësitë e tij me topin dhe ndikimin që ka në mbrojtje.

“Ai ka qetësi me topin dhe aftësinë për të marrë pjesë në ndërtimin e lojës, gjë që na jep një dimension shtesë. Në të njëjtën kohë, ai ka një prani të fortë, sjell qetësi në mbrojtje dhe zotëron një mentalitet të theksuar fitues”, ka thënë Svensson.

Ramaj, 24-vjeçar, ka përfaqësuar Gjermaninë në grupmoshat e reja. Ai ka luajtur dy ndeshje me U18, pesë me U19 dhe tri me U20 të Gjermanisë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT