Policia e Kosovës ka sekuestruar një sasi të konsiderueshme mallrash të kontrabanduara në Ferizaj, pas një operacioni të zhvilluar nga Njësia e Task Forcës – DRK Jug.
Rasti është zbuluar më 5 maj 2026, pasi policia ka pranuar informacione për ekzistimin e një depoje të dyshuar ku ruheshin mallra të kontrabanduara.
Pas ndërmarrjes së veprimeve operative dhe hetimore, është arritur të identifikohet një person i dyshuar, mashkull kosovar, i cili dyshohet se e kishte shfrytëzuar këtë depo për ruajtjen e mallrave të futura ilegalisht nga Maqedonia e Veriut në Kosovë.
Me urdhër të prokurorit kompetent, është kryer kontroll në lokacionin e dyshuar, ku janë sekuestruar: 800.4 kilogramë duhan i përpunuar, 94 kilogramë mjaltë, 30.4 kilogramë ambalazh plastik, 178 kilogramë ambalazh letre, një makinë për përpunimin e duhanit, një makinë për përpunimin e ambalazhit si dhe një spërkatëse uji për përpunimin e duhanit.
Sipas njoftimit zyrtar, vlera e përgjithshme e mallrave të sekuestruara vlerësohet të jetë rreth 16,500 euro, ndërsa shmangiet e akcizës dhe detyrimeve doganore arrijnë në rreth 34,000 euro.
Pas përfundimit të veprimeve policore, mallrat e sekuestruara janë dorëzuar në Doganën e Kosovës për procedura të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


