Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, zhvilloi një takim me Papa Leo në Vatikan, ku u diskutua për situatën në Lindjen e Mesme dhe çështje të tjera me interes të përbashkët ndërkombëtar.
Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, takimi theksoi marrëdhëniet e forta ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Selisë së Shenjtë, si dhe angazhimin e përbashkët për promovimin e paqes dhe dinjitetit njerëzor.
Mediat amerikane raportojnë se Rubio qëndroi për më shumë se dy orë në Pallatin Apostolik, ku përveç takimit me Papën, zhvilloi bisedime edhe me zyrtarë të tjerë të Vatikanit. Para vizitës, ai kishte deklaruar se në agjendë do të ishte edhe çështja e Kubës dhe ndihma humanitare që administrata amerikane po shpërndan në ishull përmes Kishës Katolike.
Takimi vjen pas tensioneve të vazhdueshme mes Washingtonit dhe Vatikanit, të nxitura nga kritikat e presidentit amerikan Donald Trump ndaj qëndrimeve të Papës lidhur me konfliktin me Iranin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


