Tuesday, September 8, 2026
spot_img
HomeLajmePISA 2025 jep alarmin për arsimin: Rënie e madhe në lexim e...

PISA 2025 jep alarmin për arsimin: Rënie e madhe në lexim e matematikë, Kosova ndër vendet me performancën më të dobët

Rezultatet e reja të PISA 2025 tregojnë një rënie të fortë të performancës së nxënësve në lexim dhe matematikë, ndërsa Kosova vazhdon të renditet në mesin e vendeve me rezultatet më të dobëta.

Sipas të dhënave të publikuara nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), në testimin e vitit 2025 morën pjesë mbi 760 mijë nxënës nga 91 vende dhe ekonomi, ndërsa PISA mat aftësitë e 15-vjeçarëve në shkencë, matematikë dhe lexim.

Në vendet e OECD-së, rezultati mesatar në lexim ka rënë për 28 pikë nga viti 2015 deri më 2025, që sipas OECD-së është e barasvlershme me rreth një vit e gjysmë shkollim. Në matematikë, rënia gjatë së njëjtës periudhë ishte 22 pikë, ose pak më shumë se një vit mësimi.

Edhe vendet që nuk janë pjesë e OECD-së kanë shënuar rënie: 16 pikë në lexim dhe tetë pikë në matematikë.

OECD thekson se rezultatet mesatare në vendet anëtare kanë zbritur në nivelin më të ulët të regjistruar ndonjëherë nga PISA në matematikë dhe lexim.

Në shkencë, megjithatë, panorama është disi ndryshe. Rezultati mesatar në vendet e OECD-së ka mbetur i pandryshuar mes viteve 2022 dhe 2025, pas një periudhe të gjatë rënieje.

Një në pesë nxënës 15-vjeçarë në vendet e OECD-së tashmë konsiderohet me performancë të ulët në të tri fushat – shkencë, matematikë dhe lexim. Në vitin 2022, kjo përqindje ishte rreth një në gjashtë.

Kosova me rezultate shumë të ulëta

Edhe rezultatet e Kosovës paraqesin një situatë shqetësuese.

Sipas të dhënave zyrtare të OECD-së, nxënësit 15-vjeçarë në Kosovë kanë marrë mesatarisht:

  • 357 pikë në shkencë
  • 350 pikë në matematikë
  • 340 pikë në lexim

Në krahasim me PISA 2022, rezultati në shkencë ka mbetur në të njëjtin nivel, ndërsa matematika ka rënë nga 355 në 350 pikë dhe leximi nga 342 në 340 pikë. OECD vlerëson se rënia në lexim nuk është statistikisht domethënëse.

Më shqetësues është fakti se 73.8 për qind e nxënësve në Kosovë konsiderohen me performancë të ulët në të tria fushat, duke e renditur Kosovën ndër vendet me përqindjen më të lartë të nxënësve me performancë të dobët.

Në shkencë, 78.6 për qind e nxënësve kosovarë janë klasifikuar si performues të dobët, ndërsa asnjë nxënës nuk ka arritur nivelet më të larta, 5 ose 6, sipas të dhënave të OECD-së.

PISA 2025 ka matur për herë të parë në këtë edicion edhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve në botën digjitale. Kosova ka marrë 359 pikë, shumë më poshtë se mesatarja e OECD-së prej 500 pikësh.

OECD paralajmëron gjithashtu për ndikimin e përdorimit të pakontrolluar të pajisjeve digjitale dhe inteligjencës artificiale. Sipas organizatës, AI mund të ndihmojë në të nxënit kur përdoret me qëllim dhe nën udhëzim, por nuk duhet të zëvendësojë përpjekjen dhe të menduarit e vetë nxënësit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT