Milot Rashica ka vendosur të mos e pranojë ofertën për një transferim te Rizespori, sipas raportimeve të fundit nga mediat turke.
Gazeta “Milliyet” ka bërë të ditur se futbollisti i Kombëtares së Kosovës nuk është i interesuar për një kalim te klubi turk, pavarësisht tentativave për ta bindur që të bëjë këtë hap.
Sipas raportimeve, vendimi përfundimtar mbetet në duart e vetë Rashicës, i cili nuk e sheh si opsion të përshtatshëm largimin nga Besiktasi në këtë moment.
Sulmuesi anësor kosovar është i lidhur me klubin nga Stambolli me kontratë deri në vitin 2027 dhe aktualisht nuk ka sinjale se dëshiron të ndërrojë ambient.
Rashica iu bashkua Besiktasit në vitin 2023 pas periudhës së tij te Norwich City dhe që nga atëherë është shndërruar në një prej futbollistëve të rëndësishëm të skuadrës.
Gjendjen e mirë të tij e dëshmoi edhe në ndeshjen e fundit, ku realizoi gol në fitoren 2-0 të Besiktasit ndaj Midtjyllandit, duke ndihmuar ekipin turk të sigurojë kalimin në fazën tjetër të një gare evropiane.
Forma e fundit dhe refuzimi i ofertës nga Rizespori tregojnë se Rashica dëshiron të vazhdojë të jetë pjesë e Besiktasit dhe të luftojë për një rol të rëndësishëm në skuadër, ku vazhdon të ketë përkrahjen e stafit teknik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


