Java e parë e gushtit mund të jetë ajo që mund t’i japë fund bllokadës politike.
Me afatin e 6 gushtit që po afron, sytë janë kthyer kah negociatat mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ndërsa pritjet për një marrëveshje të mundshme po rriten, transmeton Klankosova.tv.
Opinionisti Azdren Shala, në emisionin “Kosova Today” deklaroi se Kosova është duke shkuar sërish në zgjedhje.
“Unë mendoj se ne po shkojmë në zgjedhje, nuk diskutohet ai muhabet, deri tash qysh janë shenjat, Kurti as nuk e ka ndërmend me marrë LDK-në”, u shpreh Shala në Klan Kosova.
Nga ana tjetër, opinionistja Krenare Vokshi thotë se nëse mbahen zgjedhje të reja, sipas saj, ‘përçarja’ në LDK, do të ketë efekt negativ në elektoratin e partisë.
Por krahas Shalës dhe Vokshit, opinionisti Zejnullah Jakupi pati një mendim krejt ndryshe.
“Nuk besoj që tani do të ketë përçarje, sepse shihen për shembull personalitetet si Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku, pastaj edhe Ukë Rugova e shumë të tjerë, janë së bashku, dhe ka mundësi për herë të parë në histori tani që LDK të stabilizohet, ndoshta të arrijnë edhe në vendin e dytë”, tha ai në Klan Kosova.


