Thursday, September 10, 2026
spot_img
HomeLajmeRaportimi ekskluziv i Sinjalit: Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj tre personave për...

Raportimi ekskluziv i Sinjalit: Prokuroria Speciale ngre aktakuzë ndaj tre personave për rastin “Eko Regjioni”

Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për aksionin e Prokurorisë Speciale në lidhje me dyshimet për keqpërdorime në KRM “Eko Regjioni”, ndërsa sot Prokuroria ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave dhe një kompanie.

Sinjali kishte raportuar se në kuadër të këtij aksioni ishin arrestuar dy persona, mes tyre Arbër Gashi, ish-menaxher i njësisë së “Eko Regjionit” në Prizren, ndërsa një tjetër person, Burim Shala., nuk ishte gjetur në Kosovë dhe dyshohej se ndodhej jashtë vendit.

Sipas Prokurorisë Speciale, aktakuza është ngritur ndaj B.Sh., A.G., R.Z. dhe personit juridik SH.P.K. “D.C & E”, për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurimin publik” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, B.Sh., në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të KRM “Eko Regjioni”, së bashku me zyrtarin A.G., dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat zyrtare për t’i sjellë përfitim pasuror vetes dhe kompanisë “D.C & E”.

Prokuroria pretendon se ata kanë krijuar kushte në kundërshtim me legjislacionin e prokurimit publik, duke mundësuar që tenderi për “Furnizimi me kamiona kompaktor dhe autobusë për nevojat e KRM ‘Ekoregjionit’”, në vlerë prej 385 mijë e 500 eurosh, t’i jepej kësaj kompanie.

Sipas aktakuzës, dëmi i shkaktuar KRM “Eko Regjioni” arrin në 233 mijë e 685.37 euro.

Ndërkaq, R.Z. akuzohet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurimin publik. Ai dyshohet se ka paguar shpenzimet e udhëtimit jashtë Kosovës për B.Sh. dhe A.G., me qëllim të koordinimit të veprimeve të kundërligjshme dhe ndikimit në dhënien e tenderit.

Gjatë aksionit, hetuesit kishin kryer kontrolle në Prizren dhe Ferizaj, përfshirë objektet e “Eko Regjionit” dhe një subjekt privat, ku ishin sekuestruar prova të rëndësishme, mes tyre edhe një armë e tipit AK-47 dhe para të gatshme.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT