NATO do të përkujtojë të premten 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një ceremoni përkujtimore në selinë e Aleancës në Bruksel.
Në ceremoni do të marrin pjesë zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, i Ngarkuari me Punë i Misionit të SHBA-së në NATO, Scott Oudkirk, si dhe Përfaqësuesi Ushtarak i SHBA-së në Komitetin Ushtarak të NATO-s, gjenerallejtënant William D. “Hank” Taylor, thuhet në njoftimin e Aleancës Veriatlantike.
Ceremonia do të shënohet me një minutë heshtje në orën 14:46, në përkujtim të momentit kur ndodhi sulmi i parë ndaj Kullës së Veriut të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork.
Në nderim të viktimave dhe pjesëtarëve të forcave të armatosura që kanë humbur jetën që nga sulmet, flamujt do të ulen në gjysmë shtizë në selinë e NATO-s, si dhe në komandat aleate në Mons të Belgjikës dhe Norfolk të Virxhinias.
Sulmet e 11 Shtatorit shënuan herën e parë në historinë e NATO-s që u aktivizua Neni 5 i Traktatit të Atlantikut të Veriut, sipas të cilit një sulm i armatosur ndaj njërit prej anëtarëve konsiderohet sulm ndaj të gjithë Aleancës.
Pas ceremonisë, zyrtarët e NATO-s dhe SHBA-së do të vendosin kurorë me lule pranë Memorialit të 11 Shtatorit në selinë e Aleancës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


