Gazeta Sinjali kishte raportuar sot për shoqërimin dhe intervistimin e Shemsi Elezit në Polici, pasi zyrtarë policorë ishin parë në ambientet e Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës.
Ndërkohë, Sinjali ka siguruar dokumentin që dëshmon se ndaj Elezit, më 16 qershor 2026, është shqiptuar masa disiplinore e pezullimit nga puna pa pagesë për gjashtë muaj, për shkelje të rënda.
Masa është marrë nga organi kompetent disiplinor i Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës, ndërsa në dokument përshkruhen shkeljet për të cilat Elezi është gjetur përgjegjës.
Ky vendim vjen disa muaj pas masës së mëparshme disiplinore ndaj tij. Në tetor të vitit 2025, Komisioni Disiplinor i AKRK-së kishte vendosur pezullimin e përkohshëm të Elezit për 30 ditë, pas disa kërkesave për inicimin e procedurës disiplinore.
Sipas arsyetimit të atëhershëm, kërkesat kishin të bënin me dyshime për shkelje të rënda të etikës profesionale, dëmtim të reputacionit të institucionit, mospërmbushje të detyrave të punës, neglizhencë dhe mosrespektim të afateve të raportimit.
Ndërkaq, sa i përket shoqërimit të tij të sotëm nga Policia, ende nuk janë bërë të ditura zyrtarisht arsyet e intervistimit apo nëse procedura policore lidhet me detyrën e tij në Autoritetin e Konkurrencës.
Gazeta Sinjali është në pritje të informacioneve zyrtare nga Policia për të sqaruar rrethanat e rastit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


