Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekretuar të martën shkarkimin e Vlora Hysenit nga detyra e drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).
Vendimi është marrë me propozim të kryeministrit Edi Rama, ndërsa sipas njoftimit të Presidencës, dekreti është nxjerrë në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës dhe nenit 5, paragrafi 2, të ligjit për Shërbimin Informativ të Shtetit.
Shkarkimi i Hysenit vjen në të njëjtën ditë kur ndaj saj janë ndërmarrë masa nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), në kuadër të një procedimi penal. Gjykata e Posaçme ka caktuar ndaj saj masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga ushtrimi i detyrës.
Sipas njoftimit të SPAK-ut, Hyseni është nën hetim për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Bëhet fjalë për dyshime të hetimit dhe jo për një vendim përfundimtar fajësie.
Vlora Hyseni ishte në krye të SHISH-it që nga viti 2023, kur u dekretua nga Presidenti Bajram Begaj pas propozimit të kryeministrit Edi Rama.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


